Humbet Kukësi, shkëputet Tirana
Garë e fortë për zonën europiane
Kukësi u ndal në Laç, duke bërë që Tirana të shkëputet sërish 9 pikë në krye të renditjes.
Kurbinasit fituan takimin e javës së 30 me rezultatin 2 – 0, duke e bërë më të fortë garën për kupat e Europës.
Lushkja në pjesën e parë dhe Selmani në të dytën vendosën suksesin e Laçit që është ngjitur në vendin e tretë, duke kaluar Skënderbeun që e humbi me rezultatin 1 – 0 sfidën me Bylisin të shtunën në Ballsh. Takimi u vendos nga një gol minutat e fundit.
Teuta mori 3 pikët me triumfin 5 – 1 me Luftëtarin në Gjirokastër. Në këtë sfidë u veçua Kallaku me 3 gola të realizuar. Të premten Tirana u kthye të fitorja pas ndalesës që pati me Teutën në Durrës pak ditë më parë.
Ekipi që udhëheq renditjen e Superligës mundi Vllazninë me rezultatin 3 – 0 në sfidën e zhvilluar në “Selman Stërmasi”. Partizani fitoi 2 – 1 me Flamurtarin në Vlorë. Superliga ka ende 6 javë për të zhvilluar.
Tv Klan