Humbi 23 kilogramë në 4 muaj, Alfio Rrotani rrëfen sekretin
Përpara 6 muajsh, Alfio Rrotani nuk e ndiente veten në formë të mirë fizike. Të qenurit mbipeshë e pengonte të lëvizte lirshëm, por në 4 muaj, ai arriti të rrëzonte 24 kilogramë.
Ai rrëfen të gjitha detajet në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku thotë edhe se pesha e tij e mëparshme ishte 112 kilogramë, sa nuk arrinte dot as të lidhte këpucët.
Nëse keni kërkuar recetën e të ngrënit shumë dhe mos të shëndosheni, këtë sekret e ka zbuluar Alfio. Pa dieta drastike, pa orë të gjata në palestër dhe pa trajtime kundër peshës në qendra estetike.
Sekreti i tij është vetëm ushqimi i mirë dhe i kontrolluar. Alfio thotë se vazhdon të hajë në sasi të mëdha, por ushqime me vlera të larta që e mbajnë të ngopur, e kombinuar kjo edhe me ushtrime fizike.
Rudina Magjistari: Më trego pak, si është kjo historia e humbjes në peshë, 23 kilogramë më the?
Alfio Rrotani: 23 kilogramë për 4 muaj dhe njerëzit kur më shohin thonë “Ua, ke ndonjë sëmundje?”
Rudina Magjistari: Por në fakt, ti i ke hequr gradualisht, është shumë normale të humbasësh 23 kilogramë për 4 muaj.
Alfio Rrotani: Gradualisht. Vjen një moment kur ftillohesh pak, se normalisht duke patur shumë biznese, duke vrapuar majtas-djathtas, nuk ulemi 20 minuta të hamë bukë tamam. Hamë në këmbë dhe kjo a dëmton shumë, sepse në radhë të parë ne nuk llogarisim çfarë hamë dhe hamë çfarë na del përpara. Ndërsa kur fillon dhe mendon, ke një program ushqimi me gjërat e shëndetshme që i bëjnë mirë trupit tënd, se nuk është ideja “Hajde dobësohemi dhe mos të hamë bukë”. Unë jam mësuar të ha 5 herë në ditë, që nga mëngjesi vakte të plota që më ngopin dhe ndihem i lehtë. Ha produkte si oriz të zier, makarona të ziera në oraret e duhura, normalisht me ndonjë fetë salmon, mish të kuq, mish të bardhë, sidomos mishi i lepurit, fileto pule, toni është fantastik sepse ka proteina.
Rudina Magjistari: Pra, ti i ha të gjitha, thjesht sasitë janë të vogla?
Alfio Rrotani: Kjo është e bukura, që sasitë janë të mëdha sepse ndahen në 5 vakte në ditë, por kanë yndyrna të mira, si avokado, frutat dhe perimet e stinës.
Rudina Magjistari: Ishte një nutricionist, një dietolog që të sugjeroi, ke qenë nën vëzhgimin e tij apo një vendim i marrë totalisht vetë, programin e bërë vetë?
Alfio Rrotani: Unë nuk jam dietolog, por e di shumë mirë edhe nga shkolla e kuzhinës që kam bërë në Itali kur kam qenë i vogël se çfarë bën mirë dhe çfarë jo. Heqim të gjitha çfarë nuk bëjnë mirë, vajrat që nuk kanë lidhje me vajin e ullirit, si vaji i kikirikut, kripën, piperin e tepërt dhe produktet. Orizi i egër është shumë më i mirë sesa orizi i përpunuar. Nuk të shëndosh, të jep më shumë energji, ka më shumë fibra. Sheqeri sidomos duhet eliminuar fare, perimet e sezonit të bëjnë shumë mirë, ti ngopesh, por nuk fryhesh, nuk ndihesh i lodhur. Normalisht edhe aktivitet fizik çdo ditë.
Rudina Magjistari: Bën edhe palestër?
Alfio Rrotani: Palestër, deri para 2 muajsh në orën 6 të mëngjesit isha në palestër çdo ditë. Të paktën një orë aktivitet fizik në ditë duhet, sidomos kur je shumë mbipeshë.
Rudina Magjistari: Si ishte momenti kur vendose që “unë që nga ky moment do stopoj të ngrënit, do nis të shkoj në palestër”, e mban mend?
Alfio Rrotani: Njerëzit qeshin, por unë nuk kam arritur as të bëj dot lëvizjen më të thjeshtë për të lidhur këpucët.
Rudina Magjistari: Nuk lidhje dot këpucët para 23 kilesh.
Alfio Rrotani: Jo, kam qenë 112 kile para 6 muajsh dhe sot jam i plotfuqishëm, jam energjik. Edhe vapën e përballoj më mirë sepse nuk djersitem, lodhem më pak. Nga ana psikologjike mund të bësh shumë gjëra njëkohësisht pa asnjë lloj problemi që është gjë shumë e mirë dhe sa më shumë ndihesh mirë, aq më shumë e do dhe e vazhdon këtë gjë. /tvklan.al