Humbja turpëruese e Luftëtarit. Trajneri: Gabuam teknikisht, nuk ishim në nivelin e duhur
I turpëruar, më gjysmë zëri dhe me vështirësi të gjente fjalët e duhura. Në këtë mënyrë u prezantua në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri i Luftëtarit, Miloš Kostič. I ardhur me shumë bujë gjatë verës, pas shkarkimit të Hasan Likës, slloveni pa skuadrën të shpërfytyrohet në debutimin në Europa League. Gjirokastritët humbën 5 me 0 ndeshjen e parë ndaj Vel Ventsplits të Letonisë.
“Do të ishte budallallëk nëse do të kërkoja justifikime për pjesën e parë. Nuk ishim në nivelin e duhur, me shumë mundësi për shkak të dëshirës së lojtarëve për të treguar se ç’mund të bëjnë. Bëmë disa gabime taktike. Në të dytën shënuam një gol, por arbitri na e anuloi. Nuk dua të ankohem për arbitrin, por dy penallti në 20 minuta ndryshuan rrjedhën e lojës”.
Goli i parë i skuadrës vendase erdhi nga 11-metërshi që shkaktoi Janičić. Serbi e kishte mundësinë të luftonte për topin, por preferoi të sulmonte lojtarin kundërshtar. I dyti erdhi pas një kundërsulmi të Ventsplits. Golit të tretë i parapriu një faull.
Milosavljev fare pranë zonës rrëzon një prej kundërshtarëve. Edhe goli i 4 pësohet me penallti. Ndërsa në të pestin, 4 mbrojtësit e Luftëtarit nuk mundën ta mbronin portën
Laçi arriti të shënojë një gol ndaj Anorthosis Famagusta. Kurbinasit humbën pasi pësuan dy herë në pjesën e dytë, por për shkak të golit të Hoxhallarit janë disi më të qetë. Në ndeshjen e kthimit u mjafton të fitojnë minimalisht 1-0 për t’u kualifikuar në fazën tjetër të garës.
Tv Klan