Humbje e madhe për muzikën dhe kulturën
Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme e kompozitorit të shquar Aleksandër Lalo, ka tronditur mbarë opinion publik. Personalitete të shumta të botës së artit e politikës kanë shprehur hidhërim për shuarjen e Maestro Lalos, i cili ndërroi jetë të dielën në moshën 68 - vjeçare nga një atak në zemër.
"Ndarja nga jeta e kompozitorit tonë të shquar Aleksandër Lalo përbën një humbje për botën e muzikës dhe kulturës.
Por veprat e tij frymëzuese do mbeten përgjithmonë",
ishte mesazhi që Presidenti i Republikës, Ilir Meta përcolli për ndarjen nga jeta të Lalos."Aleksandër Lalo, poeti i tastierës u nda nga jeta duke lënë pas një pemë të bukur mbushur plot me cicërima. U prehtë në paqe"
, shkruajti Kryeministri Edi Rama, në mesazhin e tij të ngushëllimit. Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Lalos."Një lamtumirë e parakohshme për Mjeshtrin e tingujve, Aleksandër Lalo. Arti humbi kompozitorin që krijoi çdo tingull me dëshirë dhe pasion. Artistët humbën avokatin kurajoz të të drejtave të tyre. Ne humbëm mjeshtrin virtuoz me muzikën e të cilit u rritën dhe u dashuruan brezat për disa dekada. Lamtumirë Maestro! “Tingujt e harresës” nuk do të luhen kurrë për ty!",
shkruajti Basha Ndërsa Ardit Gjebrea, në një reagim në rrjetet sociale shkruajti:"Eh çfarë kompozitori humbëm sot... dhe sa shpejt...Paqe për ty i dashur Aleksandër Lalo dhe mirënjohje për muzikën që na dhurove".
I shokuar nga ky lajm u shpreh edhe Shpëtim Saraçi, i cili po në rrjetet sociale shkruajti."Sandër të njohën pak. Të faleminderit për gjithçka na trashëgove. Do kemi mall për gjithçka tënden. E kishim lënë që do bënim 1 koncert të madh LIVE sëbashku...Na e bëre me hile... Jeta kjo qenka i dashur Sandër. Pushofsh në paqe mik i dashur".
Aleksandër Lalo mbante titullin "Mjeshtër i Madh". Ai qëndronte pas shumë kompozimeve për filma të njohur të kinematografisë shqiptare dhe melodive të këngëve të shumta në festivale. Së fundmi, Maestro Lalo ishte pjesë e produksionit më të ri të Televizionit Klan, “C’est la vie” si kryetar i jurisë, duke përcjellë për publikun jo vetëm mendimin e tij prej profesionisti, por edhe humor e batuta. Homazhet për të po mbahen këtë të hënë në ambientet e RTSH./tvklan.al