Zgjerimi në 12 milje, hyn në fuqi dekreti i Greqisë


Zgjerimi në 12 milje, hyn në fuqi dekreti i Greqisë

19:21 27/12/2020

“Është e drejtë e padiskutueshme e jona”

Dekreti presidencial i Greqisë për zgjerimin e zonës bregdetare me 12 milje në detin Jon hyri në fuqi të dielën. Lajmi u njoftua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë pas publikimit në Fletoren Zyrtarte të dekretit për mbylljen e gjireve dhe përcaktimin e vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe Ishujve të Jonit deri në Kepin Tenaro në Peloponez.

Në deklaratë thuhet se vendimi i zgjerimit është një e drejtë e patjetërsueshme që buron nga konventat ndërkombetare për Ligjin e Detit e vitit 1982. 

Ministria e Jashtme Greke njofton se ky dekret përbën një hap të domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit në rajonin përkatës, akt i cili, sipas Konventës, është një e drejtë e padiskutueshme e çdo vendi.

Gjithashtu në deklaratë theksohet se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në zona të tjera të territorit të saj.

Miratimi i ketij dekreti pak ditë më parë shkaktoi debate të forta në vendin tonë, teksa përfaqësues të opozitës akuzuan Kryeministrin Rama se ka shitur detin.

Por Kryeministri bëri të ditur edhe një herë se dekreti i Greqisë për zgjerimin në 12 milje detare nuk prek interesat e Shqipërisë, pasi nuk mund të zbatohet në kanalin e Korfuzit dhe gjirin e Sarandës.

Tv Klan






Të ngjashme