Hysen Dedja: Nuk me lanë të rinovoj skuadrën
Dha dorëheqjen nga drejtimi i Lushnjës dy ditë më parë pasi nuk ia doli përballë një klani futbollistësh të vjetër në ekip të cilët edhe me mbështetjen e bashkisë nuk lejojnë rinovimin e skuadrës.
“Ka 6 vjet që këtu nuk afrohen lojtarë nga të rinjtë, që kanë ikur në ekipet e tjera për të luajtur. Nuk u është dhënë hapësirë fare.”
Lojtarët që provoi në fazën përgatitore të dimrit nuk gjetën hapësira në skuadër pikërisht për shkak të veteranëve të cilët kishin mbështetjen edhe të kryetarit të bashkisë.
“Çela, Byzhyti, Kureshi…mundësitë e tyre për të dhënë në skuadër nuk ishin. Dhe në bisedën e fundit që pata me kryetarin e Bashkisë që të largoja disa lojtarë, kryetari nuk pranoi.”
Pika që derdhi gotën ishte sjellja jo profesionale e senatorëve gjatë një mbledhjeje të ekipit me stafin teknik dhe mungesa e reagimit të drejtuesve të klubit. Futbollistët ishin shprehur me ofendime në drejtim të koordinatorit të sportit në bashki për opinionet e tij mbi lojtarët në moshë të Lushnjës
“Ishte e pamundur kur përdoret ai fjalor para trajnerit, para institucionit të trajnerit. Pastaj ose duhej të ikja unë, ose të largoheshin ata. Nga drejtuesit nuk pati asnjë reagim.”
Tekniku shkodran thotë se klani i krijuar në këtë do ta dëmtojë klubin lushnjar.
Tv Klan