I dënuari Fatmir Meta transferohet në spitalin e burgut – (24 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Fatmir Meta ish-shef i komisariatit të Tropojës, një nga të arrestuarit e çështjes Hajdari është transferuar nga qelia në spitalin e burgut. Meta para disa ditësh ka marrë nga gjykata masën e arrestit me burgim pa afat, e pas kësaj ka vazhduar të qëndrojë në burgun 313 të Tiranës. Sot rreth orës 9:30 është çuar në spitalin e burgut shoqëruar nga masa të larta sigurie.
Fatmir Meta është plagosur një vit më parë gjatë një atentati, por sëmundja e tij nuk ka lidhje me plagët e marra në këtë atentat. Pas konsultës mjeku i tij sqaroi se ai vuan nga një sëmundje zorrësh, por që nuk ka rrezik për jetën. Gjithsesi Meta këto ditë do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në një nga spitalet civile të Tiranës./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego