Pompeo dhe Merkel: Mbështesim negocimin e OSBE në Bjellorusi
Reagon Rama: Krenar për drejtimin e organizatës nga Shqipëria
Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se është thellësisht i shqetësuar nga të metat serioze në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi. Në një deklaratë të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dënohet me forcë dhuna kundër protestuesve dhe gazetarëve si dhe arrestimi i kandidatëve të opozitës të cilët duhet të lirohen menjëherë.
Shtetet e Bashkuara i kërkojnë qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryesisë së OSBE-së, të bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama për të lehtësuar dialogun duke angazhuar të gjitha palët e interesuara.
Edhe i dërguari special i kancelares Merkel, Pol Zimiak mbështet idenë e përfshirjes së OSBE-se në procesin negociues në Bjellorusi. Zimiak, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i CDU-së ka theksuar se oferta e kreut të OSBE-së, Edi Rama, për të negociuar mes palëve është një mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë vendin nga kriza.
“Bjellorusia ka nevojë për një dialog ndërmjetësues përmes organizatave ndërkombëtare, siç është OSBE, në mënyrë që t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja nën monitorimin ndërkombëtar. Bjellorusia duhet të ecë në mënyrë të pavarur në rrugën e saj pa ndërhyrje nga vendet e huaja”.
Pas mbështetjes ndërkombëtare që mori propozimi i tij, kryeministri Rama thotë se ndjehet krenar për lidershipin e OSBE-së në zgjidhjen e krizës në Bjellorusi.
Në këtë mënyrë kryeministri u ktheu përgjigje dhe akuzave politike që vijnë nga Tirana, të cilët, mosprezencën e tij si kreu i OSBE-së në Minsk e kanë vlerësuar si shans të humbur për Shqipërinë. Sipas kreut të qeverisë, në Minsk shkohet vetëm me aprovimin e të dy palëve politike aty dhe jo për të bërë selfie në protestë.
Tv Klan