I jepet lamtumira e fundit efektivit Ervin Haxhiu
Ervin Haxhiut, efektivit 41-vjeçar të policisë që humbi jetën mbrëmjen e së dielës, i është dhënë lamtumira e fundit.
Gjatë mesditës në ambientet e pallatit të kulturës Kamëz janë kryer homazhet, ku të pranishëm ishin kolegë, të afërm dhe zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme si deputetë të opozitës.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri foli për një propozim për të ndryshuar kodin penal për aksidentet me vdekje.
“
Unë shumë shpejt do propozoj një amendim në Kodin Penal, në mënyrë që aksidentet me pasoja në shëndetin apo jetën e njerëzve të mos quhen më “Aksidente me pasojë vdekjen”, por “Vrasje”. Ka disa vende në Europë që e kanë bërë këtë, duke mos i klasifikuar aksidentet si të tilla me pasoja në shëndetin apo jetën e qytetarëve, por si “plagosje” apo “vrasje”.
Arnold Kola, 22-vjeçari që nën drejtimin e një makine tip Lexus, goditi furgonin e policisë në Bulevardin Blu, në Kamëz, rezultoi se ishte nën ndikimin e alkoolit. Me 23 Mars të vitit 2015, në të njëjtin vend është arrestuar në flagrancë teksa drejtonte një Mercedes Benz nën ndikimin e alkoolit.
Ai u dënua nga Gjykata e Tiranës me 18 muaj që të mbante kontakte me shërbimin e provës.
Tv Klan