I jepet lamtumira e fundit zërit që këndoi 750 këngë
Falënderimi i fundit për Anida Taken erdhi përmes këngëve që zëri melodioz i dhuroi gjeneratës së saj dhe asaj të ardhshme.
Lamtumira nga familjarët e miqtë artistë, iu dha në hollin e Radio-Televizionit Shqiptar. Për bashkëpunëtorët e saj, është e vështirë të përmbledhësh karrierën mbi 60 vjeçare, me mbi 19 mijë debutime e koncerte në Shqipëri, Rumani, Hungari, Rusi e në vendet e largëta si Kore e Kinë.
Bashkëpunimet e fundit të Anida Takes, që e ngjitën në skenë, ishin në spektaklet e Televizionit Klan, “100 vjet muzikë” dhe “Kënga ime”.
Për publikun që e duartrokiti gjatë, artistja e të kënduarit live, Anida Take, solli disa nga më të bukurat e muzikës së lehtë, këngë të ri-orkestruara të bashkëshortit të saj Agimi dhe kompozitorëve të tjerë, të cilat vazhdojnë të këndohen.
Për arsye natyrore, Anida Take mbylli sytë në moshën 83 vjeçare. Në repertorin e saj numërohen 750 këngë. Shumë prej tyre nuk ekzistojnë të regjistruara në Fondin Shqiptar të Muzikës.
Në analet e historisë së muzikës, Anida Take, do të kujtohet edhe si këngëtarja që mbajti të parin recital në vitin 1983, në atë kohë 50 vjeç./ TV KLAN