I mbaroi oksigjeni, humb jetën zhytësi


I mbaroi oksigjeni, humb jetën zhytësi

10:23 06/07/2018

Ndërron jetë në krye të detyrës një punonjës i ekipeve për shpëtimin e 13 personave të bllokuar në një shpellë në veri të Tajlandës. Saman Gunan, pjesëtar njësive elitare të marinës tajlandeze ndërroi jetë i asfiksuar, teksa ishte zhytur mes ujërave që kanë përmbytur një pjesë të shpellës.

38-vjeçari kishte për detyrë dërgimin e bombolave të oksigjenit në zonën, ku janë bllokuar 12 fëmijët dhe trajneri i tyre i futbollit. Por gjatë zhytjes për të dalë nga shpella 5 km e gjatë, atij i mbaroi oksigjeni.

Në brendësi të shpellës ka gjithnjë e më pak oksigjen, për shkak të shtimit të punonjësve të ndihmës që merren edhe me trajnimin e fëmijëve për zhytje. Autoritetet kanë nisur vendosjen e një tubi të gjatë, që  çon atyre oksigjen nga jashtë. Niveli i ujit sa vjen e rritet për shkak të kulmit të sezonit të shirave. Përpjekje maksimale përmes pompimit po bëhen për ta mbajtur atë në nivelin që nuk u rrezikon jetën të bllokuarve.

Fëmijët duhet të mësojnë patjetër zhytjen për të dalë prej andej sa më shpejt. Në të kundërt u duhet të rrinë të paktën 4 muaj të tjerë, derisa sezoni i shirave të mbarojë dhe uji të largohet.

Tv Klan






Të ngjashme