“I nxehti i ferrit” në SHBA pezullon fluturimet


“I nxehti i ferrit” në SHBA pezullon fluturimet

19:29 21/06/2017

Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA paralajmëron për një valë të madhe të nxehti, në shtetet jugperëndimore, ndërkaq dhjetëra fluturime janë anuluar për shkak të këtyre temperaturave të larta. Temperaturat në shtetin e Arizonës, pasditeve pritet të arrijnë deri në 49 gradë celsius, në atë që mediat lokale e kanë quajtur “i nxehti i ferrit”.

Në aeroportin Sky Harbour të qytetit, një nga 10 me fluksin më të lartë të udhëtarëve në SHBA, dhjetëra fluturime janë anuluar për shkak të nxehtësisë së parashikuar. Temperaturat e larta krijojnë një boshllëk në ajër, duke vështirësuar ngjitjen në lartësi, gjë që ndikon në fluturim duke shkaktuar probleme. Shumë shërbime rajonale të American Airlines përdorin avionë kanadezë Bombardier CRJ, të cilat nuk janë të çertifikuara për të operuar në temperatura mbi 40 gradë celsius. Pra, kjo linjë ajrore ka anuluar në mënyrë të paracaktuar rreth 50 fluturime, që ishin parashikuar të bëheshin. Shumë prej fluturimeve të cilat janë anuluar janë nga Feniksi (kryeqyteti i Arizonës) ose drejt tij.

Por edhe ata që kanë udhëtime nga Tuksoni i Arizonës për në Kaliforni, nuk do mund të udhëtojnë pasi edhe këta udhëtime janë anuluar. Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka informuar turistët që temperaturat në bazën e lumit të Kolorados, mund të arrijnë deri në 47 gradë celsius. Ata paralajmërojnë që temperaturat do të rriten në nivele të rrezikshme. Avionët Airbus dhe Boeing janë në gjendje të operojnë në temperatura më të larta, por fluturimi gjithsesi mund të rrezikohet nga i nxehti. Më herët këtë muaj Hainan Airlines vendosi të shtyjë fluturimin e saj nga Las Vegasi në Pekin, për shkak të temperaturave të larta që kaplojnë pasditet.

/tvklan.al






Të ngjashme