I riu shqiptar alarmon prindërit dhe autoritetet italiane


I riu shqiptar alarmon prindërit dhe autoritetet italiane

14:34 26/01/2018

Një i ri shqiptar, me banim në Terni alarmoi familjarët e tij, kur u largua nga banesa pa lënë gjurmë. 27-vjeçari Rehars Sina, i njohur si “Rey” ishte larguar të hënën. Prindërit e kishin denoncuar zhdukjen e djalit në polici, pasi ishte larguar mbrëmjen e 22 Janarit dhe kishte fikur edhe telefonin.

Për ditë me radhë familjarët dhe miqtë e të riut nuk kishin asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij deri mëngjesin e kësaj të premteje, kur Rey telefonoi prindërit. Sipas mediave fqinje, ai u kishte thënë atyre se është shëndoshë e mirë dhe se ndodhej në Romë.

Mbeten të paqarta arsyet e largimit pa gjurmë të të riut. Sipas dëshmisë së nënës së tij, 27-vjeçari kohët e fundit kishte nisur që të mos dilte më shpesh nga shtëpia dhe ishte larguar nga miqtë, e duket se pikërisht kjo sjellje i kishte alarmuar prindërit./tvklan.al






Të ngjashme