I shembin lokalin me dokumentacion të rregullt e nuk i japin shpjegime
Problematika e radhës na çon në Laç, për lokalin e shtetasit Vid Prenga, i cili thotë se disponon të gjitha dokumentet për ndërtesën.
Për zonën ku ndodhet objekti i tij është menduar të zhvillohet projekti për përballimin e pasojave të tërmetit. Fillimisht Vidit i është thënë se lokali i tij nuk përfshihet në projekt. Por gjërat ndryshuan.
Vid Prenga tregon se prej vitit 2005 e ka lokalin afër komisariatit të policisë së Kurbinit. Kryetarja e Bashkisë i ka thënë se nuk ka nevojë për dokumentacionin e tij, pasi lokali nuk do të shembet, në qoftë se nuk shembet godina e policisë.
Por pas disa kohësh i shkon Enti i Banesave për t’i dorëzuar letrën e emrave që përfshiheshin në projekt, ku të gjithë emrat ishin me kompjuter, ndërsa emri i Vidit me shkrim dore.
Në këto kushte shkoi sërish në Bashki dhe Kryetarja i tha se nuk do të lejojë kafe afër Bashkisë. Vidi firmosi kontratën e shkëmbimit, por aty nuk përfshihej as bonus, as asistencë, ndërkohë që problemi i vërtetë është se iu tha se lokali do të shembej për parkim për policinë.
Edhe pse i thanë se nuk do të ketë kafe afër bashkisë, një tjetër lokal ndodhet më afër se i Vidit me policinë dhe bashkinë.
Vid Prenga: Për policinë pse me e liru moj Elena? Po projektin moj goce pse nuk ma tregoni?
Punonjësja: Projektin, unë nuk e di ça do bëhet. Mund të bëhet fushë, mund të bëhet pallat, mund të bëhet parkim, nuk e di çfarë do bëhet. Kur të vijë projekti, do ta shikojmë.
Vid Prenga: Ti e ke dit se më keni ardhur me letra në dorë.
Punonjësja: Matjet janë bërë në bazë të atyre, që ju keni pas të regjistruar.
Vid Prenga: Kush e di? Mua më kanë thënë parkim ata të bashkisë dje.
Punonjësja: Ata, që po bëjnë projektin tek Bashkia e dinë dhe të ta japi përgjigjen Bashkia me shkresë zyrtare. Unë nuk e di!
Vid Prenga: Atë ditë më ke thënë ti, kurse sot më thua e di Bashkia se çfarë do të bëjë.
Punonjësja: Për çështjen e projektit, Vid, unë nuk kam akoma një projekt në dorë.
Nënkryetarja e bashkisë, Iris Menga thotë se ky institucion nuk e ka projektin, por vetëm planin e detyrueshëm vendor, ndërsa projekti vjen nga Turqia.
Gazetarja: Çfarë plani është parashikuar në atë pjesë ku është lokali i zotërisë?
Iris Menga: Me vendim numër 46, datë 22 Janar 2020, u shpall zona e re për zhvillim që është zona 11 ku bën pjesë edhe objekti i Vid Prenga. VKM-ja bashkëlidhur ka edhe hartën. Është miratuar plani i detyruar vendor dhe ndërtesa e Prengës është brenda zonës së re për zhvillim. Pjesa e komisariatit i është nënshtruar analizës së thelluar pasi është dëmtuar nga tërmeti dhe presim rezultat.
Gazetarja: Ju e keni projektin që do të zhvillohet aty?
Iris Menga: Akoma nuk e kemi projektin e zonës 11. Projekti po bëhet nga turku për zhvillimin e zonës, në momentin që do ta kemi do ta bëjmë publik edhe për qytetarët.
Gazetarja: Kush e vendos që do të jetë kjo zona e përzgjedhur?
Iris Menga: Është Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit si njësi zbatuese.
Gazetarja: Edhe ju këtë listën kështu e keni?
Iris Menga: Nuk është listë nga ana jonë ajo.
Gazetarja: Si figurojnë emrat tek ju, në këtë formë apo jo?
Iris Menga: Nuk i kemi emrat e personave, ne thjeshtë kemi VKM-në dhe hartën bashkëlidhur VKM-së.
Po kështu Enti Kombëtar i Banesave na kthen përgjigje se nuk jep detaje për projektin, por qytetari do marrë atë për të cilën ka firmosur. /tvklan.al