I vdiq nipi, xhaxhai i Marjusit i revoltuar: Kush është përgjegjës për katastrofën?
Xhaxhai i 22-vjeçarit Marjus Djerri, që humbi jetën në Itali, ka shprehur revoltën për tragjedinë e ndodhur në Xhenova.
Edmond Tabaku 50 vjeç ka thënë se nipi i tij po shkonte në punë me makinë kur u shemb ura.
“Nipi im ishte duke shkuar në punë, ishte 22 vjeç. Ai lindi në Itali, ishte kopshtar dhe tifoz i Milanit”
, ka thënë Edmond Tabaku për “Fanpage.it”.
50-vjeçari kërkon përgjegjësit për këtë tragjedi që u mori jetën 37 personave.
“Një strukturë e tillë nuk mund të rrëzohet në këtë mënyrë që të vrasë gjithë këta njerëz. Kush është përgjegjësi për një katastrofë të tillë? Nga Kryeministri Conte kërkojmë më shumë siguri, jetoj këtu në Itali prej 35 vitesh dhe siguria duhet të garantohet
“, shprehet xhaxhai i Marjus Djerrit.
Ky i fundit humbi jetën së bashku me shqiptarin tjetër Admir Bokrina 31 vjeç. Të dy po udhëtonin me makinë për të shkuar në qytetin Rapallo, ku punonin për një kompani pastrimi. Trupat e dy të rinjve u nxorrën të pajetë nga rrënojat.
/tvklan.al