I vetëquajturi mjek popullor Gazmend Malaj largohet nga Shqipëria (9 Prill 2001)
I vetëquajturi mjek popullor, Gazmend Malaj largohet nga Shqipëria drejt SHBA-së. Lajmin e konfirmuan për Agjencinë Telegrafike Shqiptare burimet e Prokurorisë së Tiranës të cilat thanë se pasi të saktësohet veprimtaria e dhunshme e Malaj, do t’i bëhet një kërkesë autoriteteve amerikane për ekstradimin e tij në Shqipëri. Më 13 mars të këtij viti, nipi i Gazmend Malaj e denoncoi atë në Prokurorinë e Tiranës për vepra të dhunshme ndaj pacientëve të tij.
Ai deklaroi se i vetëquajturi “dora e zotit” ka mashtruar dhe përdhunuar pacientet e tij. Gazmend Malaj ushtronte profesionin e mjekut popullor që prej vitit 1994 në një vilë 3-katëshe në Tiranën e Re. Malaj pretendonte se zotëronte bio energji në sajë të së cilës shëronte sëmundje të ndryshme. Pas një sërë denoncimesh publike ndaj tij, Gazmend Malaj u largua nga Shqipëria dhe vetëm sot bëhet e ditur se ai ndodhej në SHBA dhe autoritetet shqiptare po bëjnë gati kërkesën për ekstradim./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame