Ibrahim Rugova, konferenca – (24 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ibrahim Rugova, Presidenti i Republikës së Kosovës ka thyer heshtjen disajavore të tij dhe ka dhënë sot paradite në orën 10.00 në shtepinë e tij një konferencë shtypi para gazetarëve të huaj dhe shqiptare. Konferencë, e cila është ndjekur dhe nga kamera e TV Klan. Në konferencë Rugova është shprehur në lidhje me çmilitarizimin e UÇK-së, bashkëpunimin me administratorët e huaj në Krahinë dhe probleme të tjera.
Ibrahim Rugova, Presidenti i Kosovës:- “Gjendja e sigurisë në Kosovë është gjithnjë e më e stabilizuar. Pas KFOR po ndihmon dhe policia ndërkombëtare dhe qytetarët, ky është një element i rëndësishëm. Është në konsolidim e sipër administrata e UMNIK-ut, në nivel lokal dhe në nivel të Kosovës. Formimi i trupave mbrojtëse të Kosovës është një ngjarje me rëndësi në Kosovën e lirë. Inteligjenca ushtarake e Kosovës do të ketë mundësi të zhvillohet më tej. Të rinjt e Kosovës do të kenë mundësi të ushtrohen në këto trupa dhe ti kontribuojnë zhvillimit demokratik të Kosovës. Ky është një transformim pozitiv i UÇK-së dhe i inteligjencës sonë ushtarake. Këto ditë do të filloj mbajtja e kuvendeve të punës të rregullta të LDK-së, në të gjitha nivelet e organizimit të saj. Mendojmë se mbajtja e zgjedhjeve të reja në Kosovë në nivel shtetëror dhe ato të pushtetit lokal të Kosovës janë imperativi i Kohës. Këto mendojmë se duhet të mbahen sa më shpejt në pranverë të viti të ardhshëm. Me UMNIK dhe organizatat e tjera ndërkombëtare duhet të angazhohemi së bashku në këtë aksion. Përshëndesim inisiativën e qytetarëve të Kosovës për rindërtimin e shtëpive dhe të mirave të tjera në Kosovë. Në të ardhmen edhe ne edhe organizatat ndërkombëtare do të ndihmojmë më shumë në këtë plan. Këto ditë po flitet për luftën e Natos që bëri për Kosovën në opinionet e botës perëndimor. Në kosovarët themi se ishte një luftë me qëllime më të larta për shpetimin e një populli nga diskriminimi dhe për ti siguruar lirini, demokracinë dhe paqen e prosperitetin. Kjo ishte një luftë e drejtë dhe i falenderojmë popujt e Aleancës, si dhe Bashkësinë Ndërkombëtare për të”./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj