Ibrahimovic do të luajë sërish, pas operacionit në gju
Karriera e Zlatan Ibrahimoviç nuk mund të quhet e mbyllur. Sulmuesi suedez kaloi me sukses operacionin pas dëmtimit të rëndë në gju në takimin më 20 prillit me Anderlecht në Europa League. Sipas menaxherit të tij Mino Raiola riaftësimi do të jetë i plotë dhe nuk do të ketë tërheqje nga futbolli.
Ndërhyrja u krye në Pitsburg nga doktorët Freddie Fu dhe Volker Musahl. Ata do të ndjekin edhe fazën rehabilituese të lojtarit 35-vjeçar. Gjatë këtij sezoni me Manchester United ai shënoi 28 gola në të gjithë aktivitetet, duke qenë më rezultativi i ekipit.
Para dëmtimit u përfol se Zlatan Ibrahimovic kishte oferta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë duhet pritur se kur do të jetë i gatshëm për t’iu rikthyer fushës. Një ekip amerikan mund të ishte një zgjedhje e duhur, pasi ka disa muaj kohë për riaftësimin deri në sezonin e ardhshëm që nis në mars të 2018.
Tv Klan