Identifikohet 20 – vjeçari i vrarë me një plumb në kokë
Identifikohet i riu që u gjet i vrarë me plumb në kokë pranë fshatit Vranisht të Vlorës, mbrëmjen e së mërkurës. Sipas policisë, viktima është Endri Kosteja, 20 – vjeç, nga fshati Dorëz i Librazhdit.
Një natë më parë, i riu, i cili punonte si bari në një stan të zonës, u dërgua i pajetë në spitalin e Vlorës. Ai kishte një plagë në syrin e djathtë, ç’ka shton dyshimet se nuk kemi të bëjmë me vetëvrasje, siç u dyshua në fillim.
Gjithsesi, policia po i heton të dyja pistat, “Vetëvrasje” ose “Vrasja nga pakujdesia”.
Blutë e Vlorës kanë vënë në pranga pronarin e stanit, Sheref Lelaj, 74 – vjeç nga fshati Mesaplik dhe shpalli në kërkim dy djemtë e tij, 34 dhe 36 – vjeç.
Në ambientet e policisë, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, i moshuari ka mohuar autorësinë e krimit duke sqaruar se nuk ka dijeni për atë që ka ndodhur.
Nuk përjashtohet mundësia që viktima të ketë patur një konflikt me të tjerë persona.
Televizioni Klan mësoi se 20 – vjeçari është fëmija i katërt i një familje nga fshati Dorëz i Librazhdit. Dy vjet më parë, ai kishte nisur punën si bari në fshatrat e Vlorës, nisur dhe nga gjendja e vështirë ekonomike e familjes.
Javën e kaluar, ai kishte qenë i ftuar në dasmën e një kushëriri, por u kishte thënë familjarëve se nuk mund të ishte i pranishëm pasi nuk kishte marrë ende lekët nga pronari. Mësohet se policia ka marrë në pyetje edhe të afërm e familjarë të tij, si dhe persona që kishin njohje me viktimën. /Tv Klan