Identifikohet shqiptari që u ekzekutua me armë në Itali
Policia italiane ka mundur të identifikojë 24-vjeçarin shqiptar që u ekzekutua me armë zjarri në Monza të Italisë, natën ndërmjet të enjtes dhe së premtes.
Ai është Ilir Berisha, raporton Corriere, i cili ndërroi jetë në spitalin e Desio. Sipas kësaj media, i riu ishte dërguar në spital nga një tjetër shqiptar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Sipas mikut të tij që e kishte transportuar për t’u mjekuar, sulmi me armë ndodhi kur ata ishin në makinë jashtë një lokali nate në Brianza.
“Ata na kërcënuan disa herë derisa u detyruam të ndalonim. Pastaj një burrë qëlloi me armë Ilirin”,
tha për hetuesit shoku i 24-vjeçarit që humbi jetën. Ilir Berisha ishte qëlluar dy herë me armë dhe fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte edhe pas ndërhyrjes së mjekëve.
Policia italiane është duke hetuar këtë ngjarje të rëndë. Për momentin nuk ka një pistë konkrete, megjithatë dyshohet se shkak mund të ketë qenë konkurrenca në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit apo trafikut të drogës. /
tvklan.al