Ilaçi kundër Covid-19, instituti amerikan rekomandon përdorimin e Remdesiviri
Për Covid-19 ende nuk ka një kurë, por mjekët dhe shkencëtarët kanë sugjeruar disa lloje ilaçesh eksperimentale për t’iu ardhur në ndihmë pacientëve.
Njëri prej tyre është Remdesivir, një antiviral që ka rezultuar i efektshëm në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në disa vende të botës. Lajmi u bë i ditur nga kreu i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, Anthony Fauci.
Në 21 Shkurt në Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive u mor vendimi që ky antiviral të përdorej tek të gjithë ata që janë mbartës të Covid-19. Pacientët që trajtoheshin me Remdesivir u duhej 11 ditë kohë për t’u shëruar.
Por ky ilaç që nisi të përdorej më herët në Itali, atëherë kur pandemia po përhapej me ritme të frikshme, rezultoi jo efektiv në provën e parë klinike. Edhe revista mjekësore ‘Lancet’ në një artikull të saj theksonte se Remdesiviri nuk ishte efektiv në trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Por sipas Faucit, studimi i publikuar tek ‘Lancet’ është i mangët dhe pa prova. Remdesiviri është prodhuar nga kompania amerikane “Gilead Sciences” dhe bën të mundur riprodhimin e materialit gjenetik viral.
Në muajin që lamë pas, ky antiviral nisi të përdorej në SHBA dhe sipas mjekëve ai ndikoi në zvogëlimin e simptomave që shfaq koronavirusi tek shumë pacientë.
Anthony Fauci përpara gazetarëve është shprehur se Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të japë autorizimin për përdorimin e menjëhershëm të tij për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Fauci akuzoi sërish Kinën për fshehje të pandemisë që i ka kushtuar jetën deri më tani afro 228 mijë personave në të gjithë botën si dhe OBSH që nuk është treguar e gatshme të merrte masa të menjëhershme për të frenuar virusin vdekjeprurës.
Klan Plus