S’ka surpriza në zgjedhjet e pjesshme në Kolonjë
Ilia Stefo do të jetë Kryetari i ri i Bashkisë së Kolonjës. Kandidati i majtë me profesion mjek, që do ta drejtojë këtë Bashki deri në 2019, fitoi me një diferencë prej 2 103 votash ndaj kandidatit të djathtë, Dritan Hajro.
Stefo mori 62% të votave ndërsa Hajro vetëm 37%.
Mbi 15 mijë votues të Kolonjës u thirrën të dielën para kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre politik. Procesi i votimit nisi në orën 07:00 në 36 qendrat e votimit, në 8 njësi administrative të kësaj Bashkie dhe u mbyll në orën 18:00.
Në zgjedhje morën pjesë rreth 50% e votuesve, ndërsa i vetmi incident ishte një përplasje fizike mes disa militantëve në fshatin Barmash.
Fitoren e kandidatit të majtë e ka përshëndetur Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook ku shkruajti:
“Faleminderit Kolonja për besimin e madh. Urime Ilia Stefos. Superfitore +2101 vota (+727 në 2015) janë një inkurajim e detyrim i madh për ne”.
Zgjedhjet vendore në Kolonjë u mbajtën pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme të ish-kryetarit të majtë Arben Malo./tvklan.al