Ilir Meta dhe takimi me FRESH (28 Gusht 1999)
Afrimi i Kongresit të Partisë Socialiste mbledh forumin rinor të saj. Të rinjtë Eurosocialistë kanë kërkuar përfshirjen në komisionet e angazhuara për organizimin e Kongresit. FRESH ka përcaktuar si parësore në mbledhjen e sotme rifreskimin me intelektualë të rinj jo vetëm të PS-së por edhe të strukturave të tij. Kjo bëhet më tepër e rëndësishme pasi dihet që lideri i këtij forumi Ilir Meta është njëkohësisht Zëvëndës Kryeministër dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
Në prag të kongresit ai ka kërkuar impenjimin e eurosocialistëve në këtë eveniment të partisë ku do të përcaktohet drejtuesi i ri e për rrjedhojë politika e ardhshme e saj.
” Dua të vlerësoj përgatitjet tuaja, gjithnjë të integruara brenda strukturave të partisë sonë socialiste në mënyrë që kjo të jetë një fushatë festive dhe jo një fushatë ankthi se do të çahet apo jo Partia Socialiste apo se kush do të jetë kryetari i saj. Këto do të vendosen në mënyrën më demokratike brenda normave të statutit të forcës sonë politike në konkurencë të lirë dhe demokratike dhe çeshtja kryesore që duhet të na prekuopojë të gjithëve është forcimi i mëtejshëm i PS-së, rritja e rolit të saj udhëheqës për të gjithë zhvillimet në vend, forcimi i qeverisjes së saj dhe një jetëgjatësi e suksesshme në pushtet e forcës sonë politike dhe koalicionit qeveritar.”
Me mbledhjen e sotme FRESH është përfshirë pothuajse zyrtarisht në fushatën për zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm socialist./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego