Ilir Meta mbledh komisionin anti-korrupsion – (15 Nëntor 1999)


Ilir Meta mbledh komisionin anti-korrupsion – (15 Nëntor 1999)

10:11 15/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeministri Ilir Meta ka kërkuar hartimin urgjent brenda 30 Nëntorit të planit të ri të luftës kundër kontrabandës. Për herë të parë si kreu i Qeverisë, Meta ka mbledhur sot komisionin antikorrupsion që ka drejtuar prej disa kohësh si Zëvendes Kryeministër.

Plani i ri do të mbështetet nga Banka Boterore dhe Grupi Miqtë e Shqipërisë si dhe do të përcaktojë mënyrën e procedimit për grupet e eksperteve. Kryeministri Meta pasi informoi për kontaktet e tij me Kryeprokurorin, Kreun e SHIK-ut dhe atë të Kontrollit të Shtetit, tha se shumë shpejt do të jetë e qartë se Qeveria respekton institucionet.

Lufta kundër korrupsionit theksoi Meta nuk mund të mbetet më në kuadrin e fjalëve. Mbledhja e sotme e komisionit anti-korrupsion përkon me marrjen e masave të para ekstreme për shkaktarët e krijimit të situatës së rëndë energjitike.

Kryeministri Meta ka shpallur si prioritet të Qeverisë që drejton luftën kundër krimit, korrupsionit e kontrabandës, gjë për të cilën ka fituar edhe mbështetjen amerikane. Gjithësesi efektiviteti i deklaratave të Metës do të duket dhe vlerësohet çdo ditë në problemet më të prekshme të qytetarëve./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme