Arqipeshkvi i Shkodrës Angelo Massafra uron Krishtlindjen


Arqipeshkvi i Shkodrës Angelo Massafra uron Krishtlindjen

11:37 23/12/2020

“Më shumë dashuri dhe përkujdesje për njëri-tjetrin”

Urimin e tij për festën e Krishtlindjes, Kryeipeshkvi i Metropolit të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, e nisi me një mesazh shprese për të gjithë besimtarët katolik.

“Edhe këtë vit dritat e festës do të fiken, por nuk do të fiket drita e shpresës te ai që nuk do të jetë ndalur vetëm te aspektet e jashtme të kësaj feste” tha Imzot Massafra.  

Lutjen e parë ia drejtoi besimtareve që pandemia e Covid -19 i përballi me vuajtje dhe humbje.

“Një mendim të veçantë ua drejtoj të gjithë juve që po vuani për shkak të kësaj sëmundjeje në shtëpi apo në spital, të humbjes së njerëzve tuaj të afërm, të vështirësive tuaj ekonomike që rrjedhin nga pandemia; në lidhje me këtë, një ftesë të veçantë dua t’ua drejtoj të gjithë juve që jetoni me tregti, me qëllim që të mos e vështirësoni këtë situatë duke ngritur çmimet, sidomos të mallrave të nevojës së parë si edhe të ilaçeve”.

Një tjetër thirrje Imzot Massafra ia drejtoi politikanëve dhe artistëve.

“Përshëndes juve, politikanët dhe qeveritarët e Shtetit tonë, në nivelin Qendror dhe Vendor, duke ju ftuar të gjithë që të jeni shembull për interesimin që duhet të tregoni ndaj të mirës së përbashkët dhe ndaj më nevojtarëve, si përshëndes edhe të gjithë juve burrat e gratë e kulturës, ju ftoj që ta doni më shumë këtë popull tonë duke bashkëndarë dhe duke përçuar jo vetëm informacione, por edhe pasion për të bukurën dhe të mirën.”

Sipas imzot Angelo Massafrës dashuria, respekti dhe përkujdesja duhet të triumfojnë mbi realitetin e zymtë të pandemisë.

Tv Klan






Të ngjashme