Inagurohet ndërtesa më e lartë në botë
Nëse qielli do të kapej me dorë, atëherë Dubai do ta bënte padyshim këtë. Qyteti më i bukur i Emirateve të Bashkuara Arabe inaguron sot ndërtesën më të lartë të botës Burj Dubai. Burj në arabisht do të thotë Kullë.
Inagurimi do të bëhet nga sundimtari i Dubait, Sheiku Mohamed bin Rashid al-Maktum, i cili ka treguar se ambicia nuk ka kurrë limite.
Kulla prej xhami dhe çeliku është mbi 818 metra e lartë ose thënë ndryshe sa dy kullat amerikane Empire State Building të vëna mbi njëra-tjetrën. Themelet e saj janë vendosur 45 metra nën tokë. Shufrat e hekurit që përforcojnë strukturën peshojnë 31 400 ton. Po ti vendosësh një e nga një do të përshkruanin një të katërtën e rrugës rreth botës.
E cilësuar si Xhevahiri i Gjirit Persik, kulla ofron një panoramë 360 gradëshe të të gjithë qytetit dhe shikohet deri në 95 kilometra largësi, madje deri në Iran. Ata që do të kenë mundësi, në katet e larta do të shijojnë një ajër të pastër dhe shikueshmëri të lartë edhe gjatë verës superpërvëluese të Dubait.
Gradaçela nisi të ndërtohej më 21 shtator të 2004 dhe ka kushtuar rreth 3 miliardë Euro. Për ndërtimin e saj kanë punuar 12 mijë punëtorë. Sipërfaqja e brendshme është sa 17 fusha futbolli të marra sëbashku. Kulla përmban plot 160 kate, 49 prej të cilave do të jenë zyra dhe 61 apartamente. Në katin e 122-të ka një restorant, në të 123-in një palestër dhe në të 143-in një klub nate. Në katin e 158-të pritet të ndërtohet një xhami.
18 kate të tjera do të jenë të rezervuara për një hotel luksoz dhe rezidencën personale të Xhorxho Armanit, e stiluar dhe e mobiluar personalisht nga stilisti i njohur. Vetë stilisti dhe të ftuarit e tij do të akomodohen për herë të parë në këtë mrekulli në muajin Shkurt.
Të gjitha hapësirat që ofron Kulla Dubai janë shitur me kohë që para se kriza të godiste vendin e ta zhyste atë në borxhe.
Në këtë qiell gërvishtëse do të jenë 58 ashensorë, të cilët do të kenë një shpejtësi prej 10 metrash në sekondë. Nëse ato nuk punojnë ka 3 000 shkallë nga kati i poshtëm në atë të sipërm. Sistemi i ajrit të kondicionuar është i barazvlefshëm me shkrirjen e 12 500 tonë akuj në ditë.
Ajo ka thyer të gjitha rekordet e mundshme, duke marrë stafetën e asaj që dikur njihej si ndërtesa më e lartë e botës në Tajvan, e cila është 508 metra e lartë.
Tv Klan