Inaugurohen shtatoret e tre patriotëve
Inaugurimi i shtatoreve të Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit bëri bashkë në Prizren, dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës dhe Presidentin Ilir Meta.
Për kryeministrin e Kosovës Haradinaj vendosja e këtyre shtatoreve është një mesazh që shkon me frymën e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.
“Nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë ajo do të bëhet realitet, kushdo që dyshon se nuk do dimë rrugën përpara, gabon. Nëse jo për tjetër na mësojnë heronjtë tonë dhe historia.”
Vepër të jashtëzakonshme e quajti kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta përjetësimin e këtyre figurave në 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
“Përshëndes qeverinë e Kosovës dhe artistët që kontribuuan që Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi dhe Abdyl Frashëri të rikthehen në Prizren.”
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama një paralele e hoqi mes realitetit shqiptar sot dhe atij te 140 vjet më parë.
“Mu aty ku është e pamundur të imagjinohet pse Kosova përjeton një mohim të papranueshëm, atë të ndalimit të lëvizjes së lirë, si një popull që zgjodhi dhe çoi deri në fund rrugën e lirisë.”
Për arsye te axhendës në ceremoni mungoi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Aktiviteti i mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i paraprin mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare që do të mbahet të hënën në Pejë, e pesta deri më tani nga 11 Janari 2014.
Tv Klan