Incident në Has (18 Maj 1999)


Incident në Has (18 Maj 1999)

15:35 18/05/1999

Forcat ushtarake serbe kanë bombarduar me artileri gjatë mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të ditës së sotme në drejtim të territorit tonë në rrethin e Hasit. Sipas Policisë së Hasit dje artileria serbe ka bombarduar për më shumë se një orë fshatin Lekaj ku ka shkatërruar një shtëpi. Më pas forcat serbe kanë tentuar të futen në brendësi të territorit tonë por kanë ndeshur me zjarrin e kufitarëve tanë.

Pas një shkëmbimi zjarri për një orë serbët janë tërhequr dhe janë rifutur në Jugosllavi. Po sot në orën 4 të mëngjesit predhat kanë bombarduar fshatin e Vllahanit në Has. Ushtarët serbë kanë tentuar të futen në territorin tonë por kanë ndeshur në kundërpërgjigjen e forcave ushtarake shqiptare dhe pas dy orë luftime janë tërhequr.

Burime nga Divizioni i Kukësit theksuan se forcat tona ushtarake janë të vendosura t’i përgjigjen me zjarr çdo sulmi të ushtrisë serbe për të mos lejuar prekjen e integritetit territorial të vendit./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme