Incident në takimin e deputetëve të PD në Shkozë
Deputetët demokratë të qarkut të Tiranës u bënë bashkë për të dalë në krah të banorëve që po u prishen shtepitë pa leje për t’i hapur rrugë projektit të unazës së madhe.
Edhe pse projekti për rehabilitimin e Lanës dhe zgjerimi i rrugëve në dy krahët e saj që bashkohen me unazën e madhe ka nisur që në kohën e qeverisë Berisha, deputetët e Partisë Demokratike fajësuan kryeministrin Rama.
Deputeti i PD Edi Paloka: “Këtu, sikur jemi në një vend në mes të luftës. Lufta është mes kësaj qeverie dhe banorëve jo vetëm të Shkozës, por të të gjithë atyre që i besuan Edi Ramës, votën. Kështu është kur i beson Edi Ramës”.
Në dijeni të faktit që projekti ka nisur që kohën e qeverisë së Partisë Demokratike dhe kur në Bashki ishte Lulzim Basha, disa nga banorët u kërkuan deputetëve demokratë të mos bëjnë politike me problemet e tyre, ç’ka solli irritimin e deputetit, Edi Paloka.
Banori: Mos e ktheni hallin e popullit në politikë. Vazhdoni tani…
Paloka: Si?
Bumçi: Edi, Edi…
Rehabilitimi i Lanës ka nisur që në qershor të vitit 2013. Por për 4 vjet me radhë, për shkak të ndërtimeve pa leje, punimet u bllokuan. Inspektoriati Kombëetar i Mbrojtjes së Territorit vijoi me prishjen e këtyre objekteve. Me përfundimin e këtij aksioni, do të nisin edhe punimet për të zgjerimin e rrugëve që janë pjesë e unazës së madhe që do të qarkojë të gjithë Tiranën për t’i lehtësuar lëvizjen e makinave dhe për t’i dhënë zgjidhje trafikut.
Tv Klan