Incidente gjatë fushatës elektorale të PS në Lazarat – (9 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Incidente gjatë prezantimit të kandidatit socialist për kryetar komune në Lazarat të Gjirokastrës. Sipas zëdhënëses së shtypit të prefekturës, një grup personash të armatosur kanë ushtruar dhunë mbi kandidatin socialist Afrat Aliko, në momentin që simpatizantët e Partisë Socialiste në Lazarat po mblidheshin për të zhvilluar takimin e tyre.
Në Lazarat ka qenë dhe zëvendës kryeministrja Makbule Çeço. Në momentin që Çeço po takohej me banorët e zonës, disa persona të armatosur, u janë drejtuar përfaqësuesve socialistë me fjalë kërcënuese, që të largohen nga Lazarati, ndërkohë që pjesa tjetër e njerëzve aty kanë këmbëngulur që takimi të zhvillohet.
Nga përplasjet mes palëve, grindjet kanë përfunduar në goditje me grusht të kandidatit socialist Afrat Aliko. Dhunë është ushtruar edhe mbi nënkryetarin e komisionit të zgjedhjeve të Gjirokastrës, Petrit Brahimi dhe mbi ish-sekretarin e degës së PS Nimet Skëndi. Gjatë kësaj kohe personat kanë kërcënuar duke qëlluar me breshëri automatiku në ajër. Sipas policisë personat e armatosur janë identifikuar dhe po punohet për ndalimin e tyre.
Takimi i Partisë Socialiste në Lazarat nuk është zhvilluar ndërkohë që zëvendës kryeministrja Çeço është larguar nga komuna e Lazaratit dhe në orën 17 pas dreke, Çeço ka dhënë një konferencë për shtyp në selinë e PS të qytetit të Gjirokastrës, ku ka zbardhur incidentin e paradites./tvklan.al