Incidente në Tropojë, reagon PD – (19 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Përsëri incident në Tropojë. Forcat speciale, kanë rrethuar në shtëpi, për të arrestuar dy persona në kërkim, në Bujan, pranë Bajram Currit. Nga shtëpia e Avni Malajt është qëlluar me armë në drejtim të policisë. Gra dhe fëmijë të fshatit me në krye kryeplakun e Bujanit, kanë dalë duke protestuar para policisë, e cila është tërhequr për të mos shkaktuar incidente. Menjëherë pas kësaj reagon selia e PD.
“Në Bujan të Tropojës, forcat speciale, kanë bërë dy orë luftë me fshatarët e Bujanit, pasi këto forca kishin sulmuar shtëpinë e demokratit Avni Malaj”, deklaron PD. Sipas zëdhënësit të PD, Edi Paloka, në Tropojë policia nuk qarkullon në qytet dhe situata është tepër e tensionuar./tvklan.al