Infektime të larta ditore në Europë


Infektime të larta ditore në Europë

20:51 27/08/2020

Rekordin e mban Franca me 5 500 raste të reja

Të larta, por të qëndrueshme ishin ritmet e përhapjes së Covid-19 nëpër vendet e Bashkimit Europian, në 24 orëshin e fundit.

Rekordin e shënoi Franca me gati 5 500 raste, numri më i lartë ditor që prej nisjes së testimeve masive për Covid-19. Zonat më problematike janë Parisi dhe qytetet e brigjeve të jugut, tepër të frekuentuara nga turistët vendas dhe europianë në këtë sezon veror.

Në qytetet më të mëdha të jugut të vendit është vendosur me detyrim mbajtja e maskës edhe në ambiente të hapura publike. Autoritetet franceze thanë se do të bënin të pamundurën për të penguar rivendosjen e masave bllokuese.

Shtim të rasteve ditore pati edhe Italia, ku u regjistruan afro 1 400 të infektuar dhe 13 viktima, një shifër domethënëse, krahasuar me infektimet ditore të periudhës pas heqjes së masave bllokuese, kur infektimet e reja ranë në nivel dyshifror.

Gati 3 600 infektime të reja u shënuan në Spanjë, një shifër 2.5 herë më e ulët se rekordi i këtyre javëve, i shënuar të premten.

Vendet me rritjen më të madhe të numrit të të infektuarve vijojnë të jenë India dhe Shtetet e Bashkaura. Lajm i mirë është që ritmet e shtimit të numrit të viktimave në të gjithë botën kanë rënë ndjeshëm siç konstatojnë ekspertë ndërkombëtarë të virologjisë. Në Korenë e Jugut, parlamenti u vendos në karantinë pas infektimit të disa deputetëve.

Aktualisht në gjithë globin numërohen mbi 24 milionë të prekur, mes të cilëve afro 826 mijë kanë humbur jetën.

Tv Klan






Të ngjashme