Ingrid Shuli dhe Sabit Brokaj vizitë në Hamallaj të Durrësit (16 Qershor 1999)


Ingrid Shuli dhe Sabit Brokaj vizitë në Hamallaj të Durrësit (16 Qershor 1999)

10:32 16/06/1999

Me mesazhin e pritjes deri në vendosjen e sigurisë për rikthimin në Kosovë, Ministrja e Punëve Publike dhe Transportit Ingrid Shuli e shoqëruar nga Këshilltari Ushtarak i Presidentit, Sabit Brokaj si dhe Komandanti i AFOR-it në Shqipëri, Xhon Rejth, vizituan sot kampin e të ardhurve nga Kosova, në Hamallaj të Durrësit, ngritur dhe menaxhuar nga Qeveria Spanjolle.

Në takimet që patën ata kanë siguruar të ardhurit se rikthimi i tyre në Kosovë tashmë është vetëm çeshtje javësh, rikthim që do të realizohet nga forcat e NATO-s, UNHCR-ja dhe Shteti Shqiptar. Kryesorja tashmë është vetëm vendosja e kontrollit nga NATO si dhe hapja e rrugëve të sigurta të lëvizjes së karvaneve të organizuara për të shmangur çdo incident të mundshëm që mund të shkaktohet si nga minat ashtu dhe nga forcat e mbetura të fshehura nga paramilitarët serbë.

Komandanti i AFOR-it, Gjenerali Xhon Rejth theksoi se tmerret që kosovarët kanë përjetuar gjatë pastrimit etnik, tashmë kanë marrë fund dhe të gjithë bashkë duhet të punojmë për rindërtimin dhe demokratizimin e Kosovës. Ndërsa Shuli dhe Brokaj, veç mirënjohjes për NATO-n shprehën dhe përkrahjen që Shteti Shqiptar do të vazhdojë të japë për vëllezërit nga Kosova./tvklan.al

Gazetar: Teodor Keko






Të ngjashme