Instagrami, rrjeti social më i shfrytëzuar për ngacmime
Hulumtimet e bëra nga “Ditch the Label”, organizatë që lufton ngacmimet, tregojnë se mediat sociale po rrisin ankthin te të rinjtë.
Dyzet përqind e të anketuarve kanë thënë se ndjehen keq nëse akush nuk i pëlqen fotografitë e tyre “selfie”, ndërsa 35% kanë treguar se besimi i tyre është i lidhur drejtpërdrejt me numrin e ndjekësve që kanë.
Platforma Instagram është veçuar si mjeti që shfrytëzohet më së shumti për komente të këqija.
Shtatë përqind e përdoruesve të rinj të Instagramit kanë thënë se janë ngacmuar në këtë aplikacion.
Shifra është më e lartë kur krahasohet me 6% të të ngacmuarve në Facebook, 5% në Snapchat dhe 2% në Twitter dhe YouTube.
Instagram tha se u bën thirrje përdoruesve që të raportojnë përmbajtjen ngacmuese.
“E dimë se komentet e postuara nga njerëzit e tjerë kanë ndikim të madh. Andaj, kemi investuar shumë në teknologji të reja, për ta bërë Instagramin vend të sigurt dhe mbështetës”, tha shefja e politikave të Instagramit, Michelle Napchan./REL