INSTAT, regjistrimi i popullsisë bllokohet nga minoriteti në jug – (7 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Regjistrimi i popullsisë dhe banesave, nisur një javë më parë nga INSTAT është bllokuar në zonat e jugut. Banorët e komunave Livadhja, Alikaj, Vivër në Sarandë dhe zona e Dropullit të poshtëm në Gjirokastër, kanë bojkotuar regjistrimin e tyre. E gjithë kjo ka ndodhur pas propagandës, që organizata e minoriteteve OMONIA, ka bërë për të mos marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.
Sot drejtoresha e INSTAT, Milva Ikonomi, ka prezantuar ecurinë e këtij regjistrimi që bëhet pas 12 vjetësh. Sipas saj, banorët e këtyre zonave janë ende të paqartë përse duhet ky regjistrim dhe për çfarë nevojitet. Në formularë, tha zonja Ikonomi, ne interesohemi për shtetësinë dhe jo për kombësinë. Megjithatë sipas zyrës së INSTAT-it, deri tani është regjistruar 35% e banesave, pavarësisht nga kjo propagandë./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori