INSTAT, ulet papunësia në vend – (4 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
INSTAT ka vërejtur se nga Prilli në Maj papunësia është ulur 16%. Instituti i Statistikave nuk po i boton ende këto shifra, pasi ato nuk korrespondojnë me hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas këtyre të dhënave, duhet të kenë filluar punë dhjetë mijë njerëz, ndërkohë që në të vërtetë është hapur vetëm 16% e tyre.
Në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, njoftohet se këto shifra kanë dalë kështu, pasi janë verifikuar në zyrat e punës, numri i atyre që nuk marrin ndihmë sociale prej një viti. Zëdhënësi Naim Zoto shpjegon:
Naim Zoto:- “Shkaku kryesor i kësaj ulje të papunësisë, në nivelin 16%, lidhet në radhë të parë me efektet e programit të nxitjes së punësimit. Po këto muaj është futur në veprim një marrëveshje punësimi të shqiptarëve në Itali dhe kjo ka patur efektet e veta. Veprimin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore të cilat kanë bërë të mundur evidentimin, ose uljen e punës së zezë. Sipas kritereve të ILO-s, ku Shqipëria është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, i papunë konsiderohet vetëm ai, i cili regjistrohet si i tillë në zyrat e punës”.
Pra në të vërtetë nuk ka ndodhur ndonjë “bum ekonomik” dhe as ka nisur punën ndonjë kantier gjigand, thjesht janë verifikuar emrat e ndihmës ekonomike dhe ata që nuk e marrin, janë quajtur si të punësuar./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti