Inter fiton ndaj Juves me një ndeshje perfekte
Conte: E merituam. Pirlo: Ishim inekzistentë në fushë
Inter arriti të fitojë derbin e Italisë pas 1582 ditësh pritje. Një sukses ndaj Juventues në “San Siro” falë golave të 2 mesfushorëve, duke zhvilluar një nga ndeshjet më bindëse të sezonit.
Arturo Vidal ndëshkoi ish-ekipin e tij në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Nicolo Barella, një nga më të mirët në këtë ndeshje shfrytëzoi një pasim të gjatë të Alessandro Bastoni duke shënuar sërish në portën e Szczesny.
Për trajnerin e Inter, Antonio Conte, i cili në të kaluar ka pasur sukses me Juventus kjo fitore është një arritje e madhe.
“Natyrisht që është një fitore e rëndësishme, pasi Juventus është një pikë referimi për atë që ka dhënë gjatë viteve të fundit. Ne u treguam të zotë, pasi kur fiton me një ekip të tillë ke zhvilluar një ndeshje thuajse të përkryer”, tha ai.
Ndërsa trajneri i Juves, Andrea Pirlo pranoi se skuadra ishte inekzistente në fushën e lojës.
“Gabuam që prej fillimit. Nëse nuk tregohesh agresiv dhe i vendosur për të fituar kthehet e vështirë. Mund të them që nuk ishim fare në fushë, u frikësuam nga sulmi i Inter. Por mendoj se duhet të shikojmë përpara”, tha Pirlo.
Gazeta “Tuttosport” që është pranë Juventus ngre pyetjen: Ishte vetëm Inter. Juventus ku ishe? Sportivet e tjera në Itali ngrenë lart ekipin e Conte që shijon këtë sukses ndaj një rivali për titullin. Zikaltërit tani ndajnë kreun e renditjes me Milanin dhe kanë 7 pikë më shumë se bardhezinjtë.
Tv Klan