Interesat e bonove të thesarit në rënie
Norma e interesit në letra me vlerë arrin në 1.69%
Interesi i bonove të thesarit ka nisur sërish trajektoren rënëse në fund të këtij viti, duke shënuar për muajin Dhjetor normën 1.69%.
Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, qeveria bleu 6.5 miliardë lekë fonde, ndërsa investitorët ofruan 9 miliardë lekë, duke zbritur më tej normën e interesit të bonove.
Që prej Korrikut të vitit 2018 e deri më sot, norma e interesit për ata që investojnë në borxhin qeveritar është ulur nën nivelin 2%, duke shkuar në disa raste edhe më poshtë se niveli i inflacionit vjetor.
Njëkohësisht me bonot e thesarit, në rënie janë edhe interesat bankarë për depozitat me afat. Hapja e llogarive bankare në lekë me afat 12 muaj kap një interes mesatar prej 0.44%, ndërsa për depozitat në euro, interesi ka zbritur në minimumet historike 0.12%.
Prej shumë vjetësh interesat e bonove të thesarit dhe të depozitave bankare janë në rënie, duke lehtësuar borxhin qeveritar, por edhe pagesat e kësteve mujore për kredimarrësit në monedhën lekë.
Vetëm gjatë këtij viti, qeveria kurseu 4.4 milion dollarë nga interesat e borxhit.
Tv Klan