Interi akoma me moral të lartë
Fitorja 2-0 ndaj Napolit ka rritur moralin te Interi. Zikaltërit konfirmohen forcë e dytë në Serie A dhe vetëm Juventusi ka bërë më mirë se të besuarit e Antonio Contes.
Madje, skuadra nga Milano ka bërë mirë në një drejtim tjetër. Revolucioni i Contes është kritikuar shpesh, megjithatë ka sjellë rezultate të shkëlqyera. Kur ka mbetur edhe një javë për tu luajtur, Inter ka mbrojtjen më të mirë në kampionat, vetëm 36 gola të pësuar.
Përveçse solide në prapavijë, mbrojtja e Interit ka qënë mjaft rezultative dhe në fazën e sulmit dhe këtë e konfirmon edhe goli i shënuar kundër Napolit nga D’Ambrosio, që e nisi sfidën si mbrojtës qendre për tu spostuar në krah dhe për ta përfunduar në krahun e djathtë të mesfushës.
Goli i italianit e bën Interin skuadrën që shënon më shumë gjatë 15 minutave të para të ndeshjes në Serie A, teksa për herë të 7-të goditja e parë drejt portës kundërshtare përshëndet rrjetën.
Rekorde edhe për rivalin e javës së ardhshme të Interit, Atalanta.
Bergamaskët mposhtën me përmbysje 2-1 Parmën, duke konfirmuar forcën sulmuese. Atalanta është skuadra që shënon më shumë në Itali, plot 98 gola.
Një tjetër detaj interesant është se te Atalanta dijnë të shënojnë të gjithë. Plot 5 futbollistë kanë shënuar 10 ose më shumë gola, ndërsa në cakun e 9 rrjetave personale ndodhen dy lojtarë, Pasalic e Gosens. Forma e dy ekipeve është pak a shumë e njëjtë dhe këtë e tregon edhe pozicioni në tabelën e renditjes. Inter numëron 1 pikë më shumë se Atalanta dhe dueli mes tyre do të zbulojë edhe forcën e dytë të kampionatit.
Klan Plus