Intervista e Argita Malltezit për deklarimin e pasurisë
Autori: Blendi Fevziu
23:01 02/10/2006Argita Malltezi, e bija e kryeministrit Sali Berisha, ishte e ftuara e parë në emisionin “Opinion Plus”, nga ku foli mbi deklarimin e pasurisë së saj, çka ka shkaktuar prej muajsh debate në politikën shqiptare.
“E vlerësoj shumë ftesën, duke qenë rasti i parë që një qytetar shqiptar bën transparencën e pasurisë së tij përpara kamerave dhe rasti i parë që një fëmij politikani bën deklarimin e tij të pasurisë. Shpresoj që kjo do të vendosë një standard dhe shpresoj që kjo mundësi që kemi ofruar nëpërmjet studios, televizionit tuaj dhe televizioneve të tjera, të shfrytëzohet edhe nga persona të tjerë që duan të bëjnë transparencën e pasurisë.
Kam menduar gjithmonë që mënyra më e mirë e komunikimit është ajo në respektim të ligjeve dhe rregullave, prandaj bëra deklarimin e pasurisë. Kur pati spekulime mbi të, vendosa të bëj një deklaratë, e cila përsëri i referohej deklarimit zyrtar të pasurisë. Nuk kam patur detyrim ligjor, por gjithmonë gjatë gjithë këtyre viteve të angazhimit të familjes sime në politikë, më ka bërë gjithmonë përshtypje një fakt. Kur hidhen dyshime ose akuza mbi personat që janë publikë për shkak të angazhimeve të tyre politike ose për shkak të angazhimit të familjeve të tyre në politikë, gjëja më e thjeshtë dhe më e natyrshme është që të dilet në publik dhe të thuhet ‘unë e kam këtë, unë e kam atë, këtë e kam, këtë e kam si rrjedhojë e këtij problemi’, por asnjëherë nuk është bërë një gjë e tillë, as në mënyrë institucionale e as në mënyrë publike.
Kështu që mua më është dukur gjithmonë më e natyrshme për ta bërë dhe kur u ktheva nga Kosova, erdha me idenë për ta bërë një gjë të tillë. E njëjta gjë u kërkua dhe nga familja ime dhe kjo ishte dhe arsyeja e dytë. Për të bërë një fotografim të gjendjes së pasurive të mia në momentin që unë u ktheva nga Kosova për të treguar që të gjitha këto pasuri kishin këto burime specifike, që është konkretisht pagat tona si profesionistë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, ku kemi punuar më parë dhe nuk janë krijuar si pasojë e lidhjeve me pushtetin.
Që nga viti 1996 deri në dhjetor të vitit 2005, të ardhurat e mia sëbashku me një kredi që kam marrë janë 1,051,000 Dollarë ”, u shpreh Argita Berisha Malltezi, e cila tregoi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që ka sëbashku me bashkëshortin, Jamarbër Malltezi./tvklan.al