Intervista e Sllobodan Millosheviç – (12 Dhjetor 2000)


Intervista e Sllobodan Millosheviç – (12 Dhjetor 2000)

18:11 12/12/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

“Vitet e mija të qëndrimit në pushtet, kanë qenë vite beteje për ruajtjen e paqes”. Kështu ka deklaruar ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili ka dalë në intervistën e tij të parë pas largimit të tij me forcë nga pushteti. Intervista e tij është bërë në televizionin privat serb Palma, duke u rikthyer në skenën politike, si kryetari i Partisë Socialiste Serbe. 

Në këtë intervistë Millosheviç nguli këmbë se ndërgjegjen e kishte të pastër. Ai denoncoi gjykatën e krimeve të luftës të Kombeve të Bashkuara në Hagë, që ka akuzuar ish-presidentin jugosllav për masakrat në Kosovë, duke thënë se nuk e kishte njohur kurrë atë. Por absurdi i kësaj interviste nuk mbetet me aq. Ashtu si ka bërë edhe në të kaluarën ai i referohet fitores së reformatorëve, që për të ishte një grusht shteti dhe që Arkan ishte një patriot i vërtetë, që u vra në kontekstin e këtij komploti.

“Kundërshtarët e mi në politikë, kanë shpifur dhe gënjyer në lidhje me tim bir, që sipas tyre çdo ditë bën një krim të ri. Nëse ata besojnë tek Zoti, duhet të frikësohen nga Marko. Ai është i veshur ushtarak që nga koha e bombardimeve të NATO-s”. Kështu Millosheviç me këtë intervistë shënon një tjetër hap prapa në skenën politike, kur kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Serbi./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora    






Të ngjashme