Intervista e zotit Majko në Rinas (23 Qershor 1999)
Intervistë me Kryeministrin e Shqipërisë zotin Pandeli Majko.
Pandeli Majko: Mendoj që po bëhet një punë jashtëzakonisht e dobishme nga trupat e NATO-s, veçanërisht nga trupat amerikane. Unë sot kam ardhur sidomos për të parë atë çfarë ushtarët amerikanë kanë bërë në Shqipëri. Është pak a shumë ajo që dhe Presidenti Klinton shprehu jo vetëm në mesazhin e tij publik drejtuar popullit shqiptar por dhe në bisedat që kemi patur më të së bashku me Presidentin e Republikës, mendoj se siç e shikoni këtu gjithçka flet për një bashkëpunim afatgjatë dhe ka shumë vend për optimizëm, por jo për optimizëm retorik, prandaj fillova duke thënë që nuk ka nevojë për komente të gjata. Këtu gjithçka flet për një pikë vështrimi afatgjatë për të ardhmen jo vetëm të Shqipërisë por dhe të bashkëpunimit të saj me SHBA-në dhe NATO-n. Besoj që nuk ka nevojë për ndonjë referendum në Shqipëri apo për ndonjë votim në Parlament për të komentuar këtë deklaratën time si Kryeministër. Jam i bindur që NATO do të qëndrojë në Shqipëri, bën pjesë në vizionin tonë të së ardhmes, bën pjesë në konceptin e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë dhe qënia e NATO-s këtu dhe qënia e Shqipërisë nesër anëtare e NATO-s i shërben një vizioni që nuk ka të bëje vetëm me shqiptarët që jetojnë sot por dhe me brezat që do të vijnë. Më ka ftuar një vajzë e vogël për të vajtur për të bërë një vizitë në Prishtinë. Jam duke e diskutuar këtë së bashku me kolegët e mi. Nuk shoh asgjë të keqe për të vizituar Prishtinën. Por tani në radhë të parë do të merremi me atë pjesë të Prishtinës apo me atë pjesë të shqiptarëve që ndodhet këtu ende në Shqipëri dhe më pas kemi kohë këtu do të jemi.
Gazetari: A keni marrë garanci për unitetin e klasës politike kosovare?
Pandeli Majko: Unë këtu erdha për të parë se si janë shtruar rrugët e së nesërmes. Di që rrugët e të sotmes kanë ca probleme por do të kalojnë edhe ato. Nuk do të duhen besoj rulat e NATO-s për të shtruar këtë rrugë. Këtu jam në një vizitë së bashku me miqtë e mi amerikane për të parë atë çka po bëhet sot dhe nesër. Do t’i futemi rrugës së rindërtimit dhe do ta bëjmë këtë duke përballuar çdolloj kostoje, le ta quajnë të tjerët daç me dorë të butë, daç me dorë të fortë. Ne do ta bëjmë sepse ndodhemi përpara një momenti ku nuk na falet të gabojmë qoftë edhe përpara kukuvajkave që vijnë qoftë nga e majta, qoft nga e djathta./tvklan.al