Interviste me Ilir Meten (17 Janar 1999)
I pyetur për hetimin e zbardhjes së çeshtjes Hajdari, Ilir Meta në një intervistë për Televizionin Klan shprehet :
” Qeveria është e hapur për të siguruar dhe për të përkrahur çdo iniciativë që është në përputhje e theksoj me ligjet kushtetuese dhe ligjet në fuqi për të ndihmuar në një transparencë më të plotë për hetimin dhe zbardhjen e çeshtjes Hajdari.”
Gazetari :Kjo do të thotë që jeni kundër krijimit të një grupi hetimor të pavarur si organ paralel me Prokurorinë?
Ilir Meta: Kjo do të thotë që çdo iniciativë duhet të shikohet midis të dy palëve në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi dhe gjithashtu ne e kemi bërë të qartë që nuk mund të marrë Qeveria kompetenca që nuk i takojnë asaj, kompetenca legjislative apo për ndryshime ligjesh për të cilat është Parlamenti ai që vendos. Kështu që Qeveria është e hapur që çdo iniciativë ta shikojë dhe t’a nxisi në bashkëpunim dhe me Partinë Demokratike.
Gazetari: Mendoni se është i vlefshëm një ligj i hartuar nga PD-ja për këtë çeshtje ndërkohë që ajo nuk bën pjesë në Parlament?
Ilir Meta: E përmenda edhe një herë tjetër fakti që vjen apo s’vjen PD-ja në Parlament nuk ka të bëje me plotfuqishmërinë e ligjeve por ka të bëje me një qëndrim të caktuar të saj dhe natyrisht që kjo nuk është kryesorja nëse për të patur vlerë një ligj ose projektligj nëse vjen apo jo PD-ja në Parlament, që natyrisht është e rëndësishme dhe është pozitive që të vijë por duhet parë nëse është apo jo në përputhje me Kushtetutën dhe me legjislacionin në fuqi./tvklan.al
Gazetar : Vladimir Lame