Intervistë me Zëdhënësin e Qeverisë Jakup Krasniqi (4 Prill 1999)

https://youtu.be/-Qk6f71yq4Q

Intervistë me Zëdhënësin e Qeverisë Jakup Krasniqi (4 Prill 1999)

12:41 04/04/1999

Intervistë me Zëdhënësin e Qeverisë së sapoformuar Kosovarë, zotin Jakup Krasniqi.

Gazetarja: Pas një viti si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jeni zëdhënës i Qeverisë së sapoformuar Kosovare. Kjo qeveri çfarë qëllimi kryesor ka?

Jakup Krasniqi: Në Kosovë mund të themi se gjatë një viti lufte nuk kishte Qeveri që do të udhëhiqte… kështu që kërkesë imediate ishte formimi i një qeverie që do të punonte, do të vepronte dhe do ta organizonte popullin në një luftë për liri brenda për brenda Kosovës. Kjo po bëhet pas një lufte njëvjeçare, në një kohë mjaft të vështirë kur makineria fashiste e Beogradit po pastron trojet e tyre etnike nga popullsia vendase shqiptare. Ne pas këto rrethana dhe pas Konferencës së Rambujesë ku subjektet politike shqiptare LBD, LDK dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës qënë marrë vesh dhe patën nënshkruar një marrëveshje për formimin e një Qeverie të Koalicionit, një Qeverie të spektrit të gjerë politik dhe për shkaqe të ndryshme kjo Qeveri pati pengesa të shumta por më në fund në malet e Kosovës u formua Qeveria e re jo në përbërje të plotë por në përbërje mjaft të zgjeruar dhe ajo po vepron, po punon dhe po e organizon luftën në Kosovë.

Gazetarja: Kjo Qeveri u ndërtua ndërkohë që lufta vazhdonte, pse nuk u ndërtua dhe më përpara por vetëm në këto momente?

Jakup Krasniqi: Më përpara në Kosovë ishin disa institucione më tepër fiktive që bënin një lojë, lojën e institucioneve të paqena që nuk funksiononin ose edhe nëse funksiononin, funksiononin jashtë Kosovës, nëpër botë, nëpër vende të ndryshme të Evropës që shumë pak njiheshin me rrethanat e luftës dhe jetes në Kosovë, qeshu me pak për mos të thënë aspak s’kishin bërë për ta ndihmuar luftën në Kosovë, që Ushtria Çlirimtare e Kosovës më me sukses t’i përballonte makinerisë kriminale të Beogradit.

 Gazetarja: Pra qëllimi kryesor i Qeverisë është vendosja e popullit të Kosovës në trojet e veta dhe bërja e zgjedhjeve të lira, apo jo?

Jakup Krasniqi: Objektiv kryesor i Qeverise së Re, që përbëhet nga njerëz të rinj, politikanë dhe luftëtarë të dëshmuar kombëtarisht që udhëhiqen nga fryma e re e një filozofie vërtet të unitetit e të bashkimit kombëtar do të jetë organizimi dhe udhëheqja e popullit shqiptar në luftë për liri, çlirimi i Kosovës, kthimi i të larguarve në Kosovë dhe krijimi i kushteve për të bërë vërtet zgjedhje të lira dhe demokratike në Kosovën e lirë.

Gazetarja: Si është pritur formimi i Qeverisë së re të Kosovës nga populli i Kosovës?

Jakup Krasniqi: Populli i Kosovës me vite e ka pritur dhe e pret një qeveri të dalun nga lufta, të dalun nga bijtë e saj luftëtare, ajo e ka mirëpritur dhe do ta mirëpresë dhe do t’i bashkangjitet dhe do t’i ndihmoje dhe populli brenda dhe jashtë po i përgjigjet edhe thirrjes së Qeverisë edhe thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mobilizim të përgjithshëm të popullit në luftë.

 Gazetarja: Kanë qënë të shumta polemikat ka mbizotëruar polemika për faktin që një qeveri e Kosovës që formohet në Tiranë. Si e komentoni juve këtë?

Jakup Krasniqi: Qeveria e re nuk është formuar në Tiranë, është çeshtje e qarqeve të caktuara, që unë nuk do të hyja në polemikë me ta por besoj dhe shpresoj se ata edhe më herët kanë bërë plane kanë bërë veprime që nuk kanë qënë kohezive, që nuk kanë qënë në interesin e kombit dhe përsëri nuk hezitojnë edhe në këtë kohë kur lypset më shumë se çdo herë tjetër një unitet, një bashkim kombëtar, ta luajnë rolin e përçarësit dhe jo rolin e një katalizatori që bashkon dhe forcon fuqinë ushtarake të popullit në luftën çlirimtare.

 Gazetarja: NATO ka vendosur të sjellë trupat e saj në Shqipëri, ndërkohë që është shprehur se nuk është dhe aq kundër trupave të NATO-s në Kosovë. Si e prisni juve këtë?

Jakup Krasniqi: Ne me mirëdashje e kemi pritur dhe intervenimin e NATO-s dhe ka qënë i nevojshëm dhe kjo ndërhyrje dhe ardhja e trupave të NATO-s në Shqipërinë Veriore dhe që ka predispozita edhe në Kosovë do të thotë ne e mirëpresim por dëshirojmë që vendet e Perëndimit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndihmojnë edhe UÇK-në e cila do të jetë një forcë e madhe që do të luftojë makinerinë armike dhe do të mundësoje kthimin e të larguarve në trojet e veta.

Gazetarja: Ju keni kërkuar dy gjëra, o trupat e NATO-s në Kosovë, trupat tokësore të NATO-s, ose heqjen e embargos ndaj UÇK-së për armatimin e saj, nga këto të dyja, cilat do preferonit?

Jakup Krasniqi: Ne që herët kemi thënë ose trupat e NATO-s në Kosovë, ose hekja e embargos dhe armatimi i UÇK-së, jo për t’u militarizuar Kosova, por për t’u armatosur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u bërë e zonja dhe e aftë për ta mbrojtur popullsinë civile nga masakrat dhe pastrimi etnik që po i bëhet trojeve të Kosovës dhe Kosovës në përgjithësi.

Gazetarja: Nga këto dy opsione kë preferoni më shumë?

Jakup Krasniqi: Ndoshta ne do preferonim armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 Gazetarja: Pse?

Jakup Krasniqi: Se liria do të ishte ma e vlefshme dhe ma e dashur.

Gazetarja: Pse do ta fitoni vetë?

Jakup Krasniqi: Natyrisht.

 Gazetarja: Kalojmë në takimin Millosheviç-Rugova. Çfarë ka qënë për ju?

Jakup Krasniqi: Ky takim ne nuk dimë në të vërtetë është apo nuk është bërë. E kemi thënë, nëse është bërë, është bërë një gabim i madh nga ana e kryetarit të LDK-së, i cili dhe ashtu ka bërë

disa gafa të mëhershme në raport me Millosheviçin dhe Serbinë. Por ne shpresojmë që ai nuk është bërë mund të jetë edhe një montim, por nëse është bërë, pa marrë parasysh është bërë në presion ose jo është një gabim i madh që nuk i falet, për të mos thënë dhe është një tradhëti e madhe kombëtare, se të shkosh të bisedosh me Millosheviçin në kohën kur trojet e tëra etnike të Kosovës spastrohen nga shqiptarët, kur bëhen masakra masive në të gjitha viset e Kosovës, vërtet është e papranueshme.

Gazetarja: I rikthehemi problemit të refugjatëve. A ka Qeveria e re e Kosovës një plan për ta, si do ti ndihmoje, apo si do ti drejtojë ata që janë në territoret shqiptare apo edhe ata që janë në prag të territoreve shqiptare, pasi mbërrijnë nga minuta në minute?

 Jakup Krasniqi: Tani për tani objektiv më kryesor në këtë drejtim i Qeverisë Shqiptare do të ishte kërkesa që Bashkësia Ndërkombëtare nga ana e ajrit të dërgonte ndihma në Kosovë për popullin që jeton në hapësirën e haptë në qiellin e haptë, kurse natyrisht do të kërkonte që edhe refugjatët sidomos këta që janë me shumicë në Shqipëri, të ndihmohen edhe nga vendet e ndryshme të Bashkësisë Ndërkombëtare, qofshin ato të Lindjes apo Perëndimit.

Gazetarja: Si mendoni si i ka pritur Shqipëria apo autoritetet politike shqiptare mbërritjen e të ardhurve nga Kosova, si kanë reaguar?

Jakup Krasniqi: Reagimi dhe mikpritja që është bërë nga populli i Shqipërisë dhe nga Qeveria Shqiptare vërtet është për çdo lëvdatë, është i nivelit të lartë. Ne i dimë mundësitë e kufizuara të popullit të Shqipërisë dhe të Qeverisë Shqiptare, por vërtet populli dhe Qeveria e kanë hapur zemrën, i kanë hapur dyert, kanë hapur gjithçka  çkanë mundur për t’i pritur vëllaznit e tyre të një gjaku. Dhe kjo natyrisht që është një ndihmë vëllazërore e kuptueshme.

Gazetarja: Po mikpritjen e të ardhurve nga Kosova në Maqedoni apo në Mal të Zi, keni ndonjë koment?

Jakup Krasniqi: Po natyrisht këtë duhet ta dimë që pritja që i është bërë popullit të Kosovës në Shqipëri nuk do t’i bëhej në Maqedoni edhe në Mal të Zi, por megjithatë edhe në ato vende, ku shkojnë të larguarit nga trojet e tyre kryesisht priten mirë nga popullata shqiptare e ndoshta jo gjithaq dhe nga Qeveritë e atyre vendeve.

Gazetarja: Se fundmi, si zëdhënës i Qeverisë së sapoformuar të Kosovës, a keni një mesazh për popullin shqiptar dhe atë të Kosovës kudo qe ndodhen?

Jakup Krasniqi: Mesazhi im edhe në këtë rast do të ishte që populli shqiptar në përgjithësi të jetë më i bashkuar se kurrë, se mendoj që kjo është dhimbja më e madhe kombëtare e këtyre 50 viteve të fundit dhe për të qënë më e lehtë kjo dhimbje duhet të gjithë të sakrifikojmë nga pak, duhet të sakrifikojë edhe populli i Shqipërisë. Kisha dëshiruar që si populli i Shqipërisë, ashtu edhe populli i Kosovës i ardhur në Shqipëri të sillej mirë, sidomos ky i fundit në raport me Qeverinë dhe Shtetin Shqiptar që as njëri dhe as tjetri mos bie pre e dezinformatorëve dhe i përçarësve të skenës politike shqiptare, e cila vërtet ka qënë vitet e fundit tepër e përçarë dhe ndoshta edhe kjo që po ndodh tash është si fryt i atyre ndarjeve dhe përçarjeve.

Gazetarja: Faleminderit./tvklan.al

Gazetare : Eni Vasili






Të ngjashme