Intervistë një ditë pas sulmit drejt Postave Kufitare Shqiptare (12 Prill 1999)


Intervistë një ditë pas sulmit drejt Postave Kufitare Shqiptare (12 Prill 1999)

15:07 12/04/1999

Intervistë me një punonjës të Ministrisë i cili flet për gjendjen në kufirin shqiptar, një ditë pas sulmit në postat kufitare shqiptare.

Gazetarja: Një ditë pas sulmit drejt postave kufitare shqiptare cila është situata e sotme, a është vazhduar të qëllohet në Veri?

Punonjësi i Ministrisë: Për fat të keq edhe sot në mëngjes në afërsi të Postës Kufitare Padesh, vazhdojnë sulmet nga forcat serbe. Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat me kuadro prej Ministrisë duke ju qëndruar pranë efektivave të policisë dhe të kufirit në Komisariatin e Tropojës me efektiva të tjera mbështetëse, si dhe me teknikën e armatimin e duhur për të përballuar këto situata. Gjithashtu janë marrë masa që të dëmtuarit, të plagosurit të transportoheshin për në Spitalin Ushtarak dhe sot në mëngjes herët është dërguar një ekip tjetër mjekësor për t’i dhënë ndihmën e duhur të plagosurve.

Gazetarja: Sa në rrezik është popullsia civile e Veriut Shqiptar?

Punonjësi i Ministrisë: E keqja është që armatimi i rëndë që po përdoret nga thellësia e tokës prej serbëve duke granatuar në Tropojën e vjetër, është e tillë që më të prekur fshatarët, qytetarët, u plasin në duar dhe krijojnë përbëjnë rrezik për jetën e tyre. Shumica e të plagosurve janë pikërisht prej këtij fakti. Nga ana e Policisë janë njoftuar të tërë banorët që të mos i prekin këto predha dhe më specialistët e Ushtrisë të grumbullohen dhe të asgjësohen.

Gazetarja: Përveç faktit që nuk duhen prekur këto predha si mund të mbrohen qytetarët e Veriut shqiptar nga këto sulme?

Punonjësi i Ministrisë: Në situata të tilla nëse bëhen përpunime me armatim dhe municion të rëndë, këtë qytetarët, banorët janë të detyruar të shmangen nga qendra e banimit të zënë vende dhe pozicione të tjera të parapërgatitura për të përballuar dëmtimet e mundshme, pra s’duhet të qëndrojnë në banesa dhe në atë territor që bëhen granatime. Nëse do ketë sulme të tilla siç ndodhi dje, forcat tona janë të instruktuara që të zënë pozicione mbrojtje, për të mos pasur dëmtime dhe në rast se forcat serbe futen në territorin, tentojnë të prekin territorin tonë, natyrisht në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, pra do jenë Komandat e Ushtrisë ato që marrin drejtimin e veprimeve dhe jo forcat e Policisë.

Gazetarja: Po ndaj sulmit të djeshëm efektivisht a i është përgigjur
pala shqiptare?

Punonjësi i Ministrisë: Pala shqiptare nuk ka përdorur armët për t’iu përgjigjur flakë për flakë forcave serbe sepse Qeveria Shqiptare ka deklaruar zyrtarisht që nuk do të bjerë në kurthin dhe në provokacionet e forcave serbe. Qëllimi i tyre është që patjetër konfliktin ta shtrijnë në territorin e Shtetit Shqiptar për të filluar luftime. Ne do të bëjmë çështë e mundur për t’iu shmangur një provokimi të tillë për të mos rënë në kurthin e tyre, sepse zgjidhjen tashmë përfundimtare do ta bëjnë forcat e NATO-s të cilat e kanë filluar./tvklan.al

Gazetare: Eni Vasili






Të ngjashme