Investime për ujë 24 orë në ujësjellësin e Derviçanit – (26 Janar 2001)


Investime për ujë 24 orë në ujësjellësin e Derviçanit – (26 Janar 2001)

12:28 26/01/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Me një investim të buxhetit të shtetit, që kap vlerën e 33 milion lekëve të reja, fshati Derviçan, në komunën e Dropullit të Poshtëm në rrethin e Gjirokastrës, do t’i sigurohet furnizimi i pandërprerë i ujit të pijshëm. Ka përfunduar faza e parë e projektit që përfshin stacionin e pompimit dhe instalimin e dy pompave shtytëse në thellësinë 180 metra, me prurje 21 litra në sekondë.

Punimet kanë vazhduar edhe për ndërtimin e dy depove të reja me kapacitet 100 metra kub secila. Depot janë të pajisura me të gjitha aksesorët e nevojshëm për garantimin e kushteve higjeno-sanitare dhe me dhoma komandimi që garantojnë kushte teknike. Për fazën e parë e cila nga pikëpamja kohore kap periudhën Nëntor-Dhjetor 2000, janë rimbursuar dhjetë milion lekë të reja, ndërkohë që Ministria e Punëve Publike, ka çelur që në fillim të vitit fondin prej 23 milion lekësh të reja, për fazën e dytë Janar-Maj.

Sipas firmës zbatuese, parashikohet që projekti i këtij investimi të përfundojë brenda katër muajve të ardhshëm. Përfundimi i projektit, përveçse siguron furnizimin e pandërprerë me ujë të Derviçanit, do të përmirësojë dukshëm edhe furnizimin me ujë të 11 fshatrave të tjerë të Dropullit të Poshtëm, të cilët deri tani furnizohen nga i njëjti ujësjellës ai i Nepravishtës./tvklan.al






Të ngjashme