Investimet e Bashkisë tek zona e Bregut të Lumit
Edhe banorët e zonës së Bregut tw lumit në Njësinë nr. 4 në kryeqytet, tashmë do të kenë një qendër shumëfunksionale. Që do i shërbejë komunitetit. Gjatë inspektimit të punimeve, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se investimet e Bashkisë do të fokusohen jo vetëm në qendrën e qytetit por edhe në zonat periferike.
“
Në një vit e gjysmë, këtu transformimi është i dukshëm, ndaj dua t’u bëj thirrje të gjithëve që, teksa bëjmë debatet e mëdha politike, të cilat janë të nevojshme, është e rëndësishme të kuptojmë se ajo që presin qytetarët nga ne është që të përveshim krahët dhe të vazhdojmë punën. Nëse dikush nuk ka bërë punë dhe për këtë arsye nuk ka çfarë ofron e nuk do të vijë në zgjedhje, kjo nuk duhet të jetë problem dhe dramë e të gjithë qytetarëve shqiptarë
”
Sipas materialit të shpërndarë nga zyra e medias në Bashkinë e Tiranës, duke iu referuar protestës së opozitës, Kryebashkiaku Veliaj tha se ata që janë në çadër nuk kanë bërë asgjë për qytetin.
“Besoj se në Tiranë gjërat flasin vetë. E mirëkuptoj pse dikush është në çadër, pse nuk bëri dot një punë në Tiranë, le më të marrë përsipër të bëjë punë në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që karvani të ecë përpara dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë ata qytetarë që në fund të ditës presin përgjigje në çfarë shkolle do i çojnë fëmijët, në çfarë çerdhe, kush do t’i ndihmojë në ditën e tyre të nevojës, ne t’i kemi përgjigjet”.
Falë mbështetjes edhe nga Komisioni Evropian, në zonën e Bregut të Lumit po ndërtohet edhe një shkolle e re, kopshti dhe një çerdhe./ TV KLAN