Investimet e huaja në Shqipëri
Biznesi i huaj vazhdon të ketë kusht miratimin e Reformës në Drejtësi për të investuar në Shqipëri. Kjo gjë konfirmohet nga Përfaqësues të Delegacionit të BE në Shqipëri, të cilët thonë se shumë kompani europiane dhe ndërkombëtare shprehen se fillimisht duan të shohin të vihet në zbatim Reforma në Drejtësi para se të investojnë shumë para në vendin tonë. Bizneset kanë paralajmëruar se nëse nuk përmirësohet klima e biznesit në vendin tonë, ata do të fokusohen në vende të tjera në Europë dhe botë
Jan Rudolph, Përfaqësues i Delegacionit të BE në Shqipëri:
“Ashtu siç u theksua në raportin e Komsionit Europian të vitit 2015 për Shqipërinë, ka sfida të rëndësishme në zbatimin e ligjit, të drejtën e pronës dhe luftën kundër korrupsionit. Këto mbeten aspekte kyçe për përmirësimin e klimës së biznesit. Në fakt shumë kompani europiane dhe ndërkombëtare na kanë thënë se fillimisht duan të shohin të vihet në zbatim Reforma në Drejtësi para se të investojnë shumë para në Shqipëri. Në të kundërt, na konfirmuan, se nëse nuk do të përmirësohet klima e biznesit, do të fokusohen në vende të tjera në Europë apo në botë”
Ky apel u bë gjatë një aktiviteti të zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare në lidhje me zhvillimet kryesore dhe sfidat e mbetura për mjedisin e biznesit veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Tv Klan