Investimet gjermane, qindra vende të reja pune në Kosovë


Investimet gjermane, qindra vende të reja pune në Kosovë

20:47 29/05/2016

Qeveria e Kosovës ka prezantuar të dielën disa projekte të investitorëve potencialë gjermanë, të cilat pritet të finalizohen së shpejti. Vetëm njëri nga këto projekte është bërë e ditur se do të punësojë deri në 800 qytetarë të Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, gjatë një konference për media, ka treguar se investimet që do të bëhen në Kosovë, do të  gjenerojnë vende të reja pune.

Disa prej këtyre investimeve që do të bëhen, janë investime gjermane-kosovare, ka shtuar ministri Abrashi.

“Gjatë javës së ardhshme do të promovohen disa projekte të investitorëve gjermanë. Fillimisht, do të mbahen disa panaire të punës, pastaj gjatë javës do të bëhet provimi i një investimi kosovar- gjerman për panele solare. Në fund të muajit të ardhshëm do të jetë një fabrikë për përpunimin e produkteve ushqimore, në Podujevë dhe kemi të bëjmë me punësim e 500 deri në 800 persona në këtë fabrikë. Këto janë lajme të mira për ekonominë, për Kosovën dhe imazhin e saj”

, ka thënë Abrashi.

Ai ka treguar se në fabrikën për përpunimin ushqimor që do të bëhet në Podujevë, do të kenë prioritet punësimi gratë, të cilat janë në asistencë sociale.

Po ashtu, ai ka njoftuar se do të mbahen trajnime profesionale për të punësuarit potencial në këtë fabrikë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Të hyrat nga investimet e huaja në Kosovë, vazhdimisht, janë cilësuar promotor i zhvillimit ekonomik, por që këto investime kishin shënuar rënie ndër vite, si dhe ishin konsideruar të ulëta krahasuar me nevojat që ka Kosova./tvklan.al






Të ngjashme