Iota shkatërron Amerikën Qendrore
Uragani i shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm do të kalojë edhe në Karaibe
Uragani Iota ka zbarkuar në Nikaragua. Stuhia e klasifikuar si e kategorisë 5 u shoqërua me erëra deri në 260 km/h dhe shira të rrëmbyeshëm. Hondurasi, Guatemala dhe Nikaragua kanë evakuuar banorët që jetojnë pranë lumenjve. Iota ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa zona.
Iota solli rrëshqitje toke në Kolumbi, duke dëmtuar qindra shtëpi. Stuhia parashikohet të kalojë mbi Providencia, një ishull kolumbian në Karaibe. Qendra Meteorologjike në SHBA ka paralajmëruar që reshjet e mëdha të shiut nga Iota mund të shkaktojnë përmbytje në disa pjesë të Amerikës Qendrore.
Për shkak të erës së fuqishme energjia elektrike është ndërprerë në disa zona. Iota është uragani më i fortë për gjatë këtij muaji pas uraganit Eta. Kosta Rika, Panamaja, Beliza dhe El Salvadori do të preken gjatë orëve në vijim nga uragani Iota. Në këtë vende parashikohen përmbytje të shumta dhe dalje të lumenjve nga shtrati. Autoritetet e Hondurasit urdhëruan evakuimin e njerëzve në zonën e San Pedro Sula. Zyrtarët u kanë bërë thirrje njerëzve që të pranojnë evakuimin.
Eta la të paktën 200 njerëz të vdekur. Zona e goditur më keq ishte rajoni qendror i Guatemalës Alta Verapaz, ku rrëshqitjet e dheut shkatërruan dhjetëra shtëpi në fshatin. Amerika Qendrore është një nga rajonet ku ndihet më shumë ndryshimi i klimës. Ai edhe më herët është goditur nga përmbytjet katastrofike dhe thatësira ekstreme.
Klan Plus